fbpx

Pse janë të rëndësishme analizat Interleukin-6 dhe Procalcitonin (PCT) tek pacientë me COVID-19?

Interleukin-6 (IL-6)

IL-6 është pjesë e grupit të madh të molekulave të ashtuquajtura citokina. Citokinat kanë role të shumta në trup dhe veçanërisht veprojnë në kuadër të sistemit imunologjik dhe janë pjesë të “kaskadës inflamatore” që përfshin aktivizim të koordinuar dhe pasues të rrugëve të përgjigjes imunologjike.

IL-6 mund të rritet gjatë inflamacioneve të ndryshme (duke përfshirë edhe COVID-19), infeksione, çrregullime autoimune, sëmundje kardiovaskulare, disa lloje të karcinomeve etj.

IL-6 është indikator i hershëm për përgjigjen inflamatore të sëmundjes ose lëndim. Luan rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe përshkallëzimin e stuhisë së citokinave tek pacientë me COVID-19.

Ekzistojnë dëshmi të rëndësishme dhe studime që sugjerojnë se forma e rëndë e COVID-19 e shoqëruar me pneumoni të rëndë, si edhe dëmtime të tjera të organeve, janë për shkak të përgjigjes serioze inflamatore dhe sindromë e stuhisë së citokinave, të shkaktuar nga prodhimi i pakontrolluar i citokinave – veçanërisht IL-6. 

Prej këtu, analiza IL-6 është marker i rëndësishëm që mund të ndihmojë në identifikimin e kësaj përgjigjeje intensive inflamatore tek pacientët me COVID-19, dhe në ndjekjen dhe parashikimin e gjendjes së tyre. Vlerat e IL-6, duhet të interpretohen gjithmonë së bashku me pamjen klinike të pacientit, në konsultim me mjekun.

Prokalcitoninë (PCT)

Prokalcitonina është substancë që prodhohet nga shumë lloje qelizash në trup, më shpesh si përgjigje ndaj infeksioneve bakteriale, por gjithashtu edhe si përgjigje ndaj lëndimit të ndonjë indi të caktuar.

Niveli i prokalcitoninës në gjak mund të rritet në mënyrë të konsiderueshme tek infeksionet sistemike bakteriale dhe sepsë.

Tek pacientë me СOVID-19, nivelet e rritura të prokalcitoninës janë të lidhura me formën më të rëndë të sëmundjes dhe mund të kenë rol parashikues të peshës dhe zhvillimit të sëmundjes. Prokalcitonina në studimet e deritanishme është treguar si vegël e vlefshme plotësuese për identifikimin e hershëm të pacientëve me rrezik të ulët/të lartë për bashkë-infektim bakterial.

Prokalcitonina është në listën e markerave të rekomanduara biokimike nga ana e IFCC (International Federation of Clinical Chemistry) tek persona të sëmurë me COVID-19.

Rezultatet nga analiza e prokalcitoninës në gjak duhet të interpretohen gjithmonë në pajtueshmëri me pamjen klinike dhe gjetjet nga metodat e tjera diagnostike tek pacienti.

Prokalcitonina nuk duhet të përdoret si marker i pavarur dhe marker i vetëm dijagnostik dhe gjithmonë është e nevojshme që të kryhet në konsultim me mjekun.