fbpx

DITA BOTËRORE E LUFTËS KUNDËR HEPATITIT 2021

Çdo vit, Organizata botërore shëndetësore (OBSH) e shënon datën 28-të korrik si Ditën botërore të hepatiti me qëllim që ta rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e hepatiteve virusale, veçanërisht të hepatitit B dhe C.

Çfarë është dita botërore e hepatitit?

Dita botërore e hepatitit (WHD) mbahet çdo vit më datën 28 korrik, duke e bashkuar botën me qëllim ndërgjegjësimin dhe avancimin e masave parandaluese për mbrojtje nga virusi, për përmirësim të masave diagnostikuese, vaksinim universal, si edhe përmirësimin e trajtimit për të gjithë të prekurit. Në vitin 2021 kjo ditë shënohet nën moton “Hepatiti nuk mund të presë”. Në ditën botërore të hepatitit, bëhet thirrje për ndërgjegjësim për ekzistimin e virusit në të gjithë botën, me qëllim që të ndërmerret aksion, sepse hepatiti nuk mund të presë.

Lloje të hepatitit

Hepatiti virusal paraqet inflamacion akut ose kronik të mëlçisë të shkaktuar nga pesë viruse të hepatitit: А, B, C, D dhe E, që dallohen sipas mënyrës së transmetimit, popullatës që preket më shpesh dhe sipas rezultatit të sëmundjes.

Hepatiti А është sëmundje infektive akute e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatitit A (HAV) që transmetohet nëpërmjet rrugës fekalo-orale. Më shpesh kalon në mënyrë asimptomatike ose ka simptomatologji të lehtë, veçanërisht tek fëmijë nën moshën pesëvjeçare, dhe serioziteti i sëmundjes zmadhohet me moshën. Hepatiti A nuk shkakton sëmundje kronike të mëlçisë dhe ka shkallë të ulët  të vdekshmërisë (0 ,1-0,3%). Hepatiti A mund të parandalohet nëpërmjet përmirësimit të kushteve sanitare – higjienike, nëpërmjet sigurimit të ushqimit dhe ujit të pijshëm të sigurt dhe me vaksinim. Është e disponueshme edhe vaksinë efikase. Kalimi i sëmundjes krijon imunitet të përhershëm.

Hepatiti B është sëmundje e mëlçisë, që është rezultat i infektimit me virusin e hepatitit B (HBV). Mund të transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjak të infektuar dhe lëngje të tjera trupore, nëpërmjet injektimit të drogës, përdorimit të pajisjeve mjekësore të pasterilizuara dhe nëpërmjet kontaktit seksual të pambrojtur.

Nëna e infektuar mund t’ia transmetojë infeksionin fëmijës së saj gjatë kohës së lindjes. Simptomat mund të variojnë në masë të madhe, dhe shumë prej atyre që janë të infektuar nuk zhvillojnë asnjëherë simptoma.

Janë të disponueshme vaksina efikase që ofrojnë nivel të lartë të mbrojtje dhe paraqesin mënyrën më efektive për parandalimin e hepatitit B. OBSH rekomandon të gjitha foshnjat e porsalindura të fitojnë vaksinë kundër hepatit B sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes, ku më vonë pasojnë 2 – 3 doza shtesë. Në shumë pjesë të botës, programet gjerësisht të përhapura për vaksinimin e foshnjave që ushqehen me gji çuan në një rënie dramatike të rasteve të reja me hepatit B.

Hepatiti C përhapet nëpërmjet kontaktit me gjak të personit të infektuar. Infeksioni mund të lindë nëpërmjet injektimit të drogës, përdorimit të pajisjeve mjekësore të pasterilizuara dhe procedura të tjera mjekësore. Transmetimi i hepatitit C nga nëna tek foshnja është gjithashtu i mundshëm. Hepatiti C mund të shkaktojë infeksione akute dhe kronike, por shumica e njerëzve që janë të infektuar zhvillojnë infeksion kronik. Një numër i konsiderueshëm i atyre që janë të infektuar kronikë do të zhvillojnë cirrozë të mëlçisë ose kancer të mëlçisë. Me trajtimet e reja, mbi 90% e njerëzve me hepatit C mund të shërohet në afat prej 2-3 muajsh, me çka zvogëlohet rreziku nga vdekja nga kanceri i mëlçisë dhe nga cirroza. Për momentin nuk ka vaksinë për hepatitin C, dhe hulumtimet në këtë fushë janë në vijim.

Hepatiti D transmetohet nëpërmjet kontaktit me gjak të infektuar. Nga hepatiti D mund të infektohen vetëm personat që tashmë janë infektuar me virusin e hepatitit B. Njerëzit që nuk janë të infektuar me hepatitin B mund ta parandalojnë infektimin me hepatitin D, me vaksinimin kundër hepatitit B.

Hepatiti Е paraqet infeksion fekal-oral si edhe hepatiti A. Dhe përhapet kryesisht nëpërmjet ujit të kontaminuar për konsum. Hepatiti E zakonisht kalon për 4-6 javë, dhe prandaj nuk ka trajtim specifik. Megjithatë, gratë shtatzëna të infektuara me hepatitin E kanë rrezik të konsiderueshëm për vdekshmëri nga ky infeksion. Edhe pse hepatiti E është gjerësisht i shpërndarë në botë, numri i infeksioneve është më i lartë në Azinë lindore dhe atë jugore. Përmirësimi i kushteve sanitare – higjienike dhe siguria e ushqimit mund të ndihmojnë në parandalimin e rasteve të reja të hepatitit E. Ekziston vaksinë për parandalimin e hepatitit E të licencuar në Kinë, por ende nuk është e disponueshme në vend tjetër.

Në Laboratorin Avicena janë të disponueshme teste ultrasensitive dhe specifike për lloje të ndryshme  të hepatitit, që përpunohen në instrument më bashkëkohor, komplet të automatizuar nga prodhuesi Siemens Healthineers.

Të gjitha analizat me çmimet përkatëse, mund t’i shikoni në këtë link.